Këshilli Drejtues siguron që Banka ka një sistem solid të qeverisjes dhe se aktiviteti i saj operacional zhvillohet në përputhje me rregulloret përkatëse në fuqi. Këshilli Drejtues zbaton politikat dhe strategjitë e bankës në përputhje me planin e biznesit, menaxhimin e riskut dhe të buxhetit vjetor. Ai merr masat e nevojshme dhe të duhura për të siguruar integritetin e sistemit financiar dhe kontabilitetit të bankës, për ekzistencën e sistemeve të përshtatshme të auditimit veçanërisht në lidhje me menaxhimin e riskut, sistemin operacional dhe financiar të bankës, si dhe sigurimin e pajtueshmerisë me ligjin dhe praktikat më të mira në sistemin bankar.

Kryetar i Këshillit Drejtues
Mandati Aktual - 28.12.2022 - 28.12.2026
Attila Bánfi është Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Tregjeve Globale në OTP Bank dhe Tribe Lead i Global Markets Tribe. Ai mbikëqyr aktivitetet e Grupit në fushën e tregjeve financiare, bankingut të investimeve dhe shërbimeve financiare, administrimit të aseteve, private banking, emetimit të titujve, kujdestarisë së aktiveve, marrëdhënieve me klientët institucionalë dhe kërkimit financiar për kategori të ndryshme asetesh.
Me mbi 25 vite përvojë ndërkombëtare në tregjet financiare, ai është Kryetar i Bordit të OTP Fund Management dhe i Komitetit të Investimeve të OTP Group, si dhe ka mbajtur disa pozicione në nivel bordi në kompani të ndryshme të Grupit OTP.
Përpara se t’i bashkohej OTP Bank, ai ka mbajtur role të larta drejtuese pranë Intesa Sanpaolo në Hungari, Serbi dhe Ukrainë, ndërsa karrierën e ka nisur në Bankën Kombëtare të Hungarisë.
Ai ka përfunduar studimet në ekonomi, administrim biznesi, si dhe në drejtësi dhe ekonomi, dhe ka ndjekur studime doktorale në fushën e ekonomisë dhe menaxhimit mjedisor.

Anëtar i Keshillit Drejtues
Mandati Aktual - 15.10.2023 - 15.10.2027
Z. Armand Duka, shtetas Shqiptar, është diplomuar në Universitetin e Tiranës (Shqipëri), Dega e Ekonomisë për Industri në vitin 1986. Z. Duka ka filluar karrierën në profesionin e Ekonomistit në Parkun e Mallrave në Burrel në vitet 1986-1990. Gjatë viteve 1990-1991, z. Duka ka ushtruar profesionin e tij si ekonomist në parkun e mallrave të eksportit në Durrës.
Duke filluar nga viti 1993, Z. Armand Duka është sipërmarrës në sektorë të tjerë privatë, zotërues dhe aksionar në disa biznese të mirënjohura, ku rikonfirmon kështu aftësitë e tij shumë të mira menaxhuese dhe drejtuese. Z. Armand Duka është zgjedhur President i Federatës Shqiptare të Futbollit në vitin 2002, post të cilin e mban edhe aktualisht duke u rizgjedhur në vitet 2006-2010-2014-2018.
Gjatë këtyre viteve, në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit ka mbajtur dhe këto detyra: Anëtar i Komitetit të Federatave në UEFA (2008-2012); Zv/Kryetar i Komitetit të Federatave Kombëtare në UEFA (2006-2008); Zv/Kryetar i Komitetit të Kompeticioneve të Ekipeve Kombëtare (2008-2013); Zv/Kryetar i Komitetit të Federatave Kombëtare (2013-2016); Zv/ Kryetar i Komitetit HatTrick (2016-sot); Anëtar i Komitetit të Federatave në FIFA (2008-2012) dhe Anëtar i Komitetit Organizator të Kupës së Konfederatave (2012-2017).
Ndër vite, z. Armand Duka është nderuar me disa tituj, ku mund të përmendim: titullin “Qytetar Nderi” (1998) akorduar nga Bashkia e Shijakut dhe titujt “Nderi i Qytetit” (2001), “Simbol i Qytetit të Durrësit” (2002) dhe “Dyrrah – 3000” (2003) akorduar nga Bashkia e Qytetit të Durrësit dhe Shoqata “Durrësi”.
Në vitin 2010, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi e dekoron me titullin e lartë “Naim Frashëri” të Klasit të Parë, për kontribut të shquar, në drejtimin dhe zhvillimin e futbollit shqiptar. Në vitin 2019, z. Duka akordohet me titullin “Konsull nderi i Hungarisë” për Republikën e Shqipërisë. Duke filluar nga tetori, 2019, z. Armand Duka është anëtar i Këshillit Drejtues i Bankës OTP Albania.

Anëtar i Këshillit Drejtues
Mandati Aktual - Mars 2023 – Mars 2027
Dr. Janos Veres, një shtetas Hungarez, është diplomuar në Inxhinieri në Fakultetin e Shkencave Bujqësore të Universitetit të Debrecenit (Hungari) dhe ka kryer studimet e doktoraturës për Ekonomi në Universitetin Karl Marx, Budapest (Hungari).
Dr. Veres ka një përvojë 32 vjeçare në sektorët publikë dhe privatë. Nga viti 1997 deri ne vitin 2002, Dr. Veres ka qenë Kryetar i Dhomës së Tregtisë për rajonin Szabolcs-Szatmár-Bereg.
Ai ka qenë një anëtar i zgjedhur i Asamblesë Kombëtare/Parlamentit të Hungarisë (1994-2014) dhe përgjatë viteve Dr. Veres ka zhvilluar një karrierë në politikë ku ia vlen të përmenden pozicionet si: Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Financave (2003-2004), Sekretari i Shtetit në Zyrën e Kryeministrit (2004-2005) dhe Ministrër i Financave (2005-2009).
Në pozicionin e tij si Ministër, Dr. Veres ka qenë përgjegjës për çështjet rregullatore, mbikëqyrëse dhe monitoruese të sektorit bankar dhe të institucioneve të tjera financiare, për çështjet e taksimit të ekonomisë, për të gjithë fushën e buxhetit dhe manaxhimit të aseteve shtetërore.
Ai gjithashtu përgatiti dhe zbatoi një skemë të suksesshme për të manaxhuar ndikimet e krizës financiare të vitit 2008. Dr. Janos Veres është zgjedhur Kryebashkiak i vendlindjes së tij, Nyírbátor (2002 – 2003) dhe tani vazhdon të japë kontributin e tij të vyer në Këshillin Bashkiak të Nyirbatorit.
Sa lidhur me karrierën e tij akademike, në vitin 2009 Dr. Veres ka qenë Docent në Universitetin e Debrecen dhe është autor i shumë botimeve në fushën financiare dhe ekonomike për Universitetet Hungareze dhe të huaja. Duke filluar nga Mars, 2019 Dr. Veres është anëtar i Këshillit Drejtues i Bankës OTP Albania.

Anëtar i Këshillit Drejtues
Mandati Aktual - 23.05.2023 – 23.05.2027
Z. Stavri Pashko, shtetas shqiptar, është i diplomuar në Universitetin e Torinos për Shkenca Strategjike dhe ka një diplomë MBA në Udhëheqje për Qëndrueshmëri. Z. Stavri Pashko ka një përvojë të thelluar në auditimin e brendshëm, menaxhimin e riskut, zhvillimin e biznesit dhe qëndrueshmërinë. Me mbi 17 vjet përvojë në industri, Z. Pashko e ka nisur eksperiencën e tij tek ProCredit Bank Albania dhe ish-Societe Generale Albania duke vijuar më pas në kompani ndërkombëtare si Telia Company, Volvo Group dhe Volvo Cars.
Gjatë gjithë karrierës së tij, Z. Stavri Pashko ka treguar përkushtim ndaj profesionit të Audituesit. Ai është një nga themeluesit e Institutit Shqiptar të Audituesve të Brendshëm dhe ka kontribuar prej disa vitesh si anëtar i Komitetit Udhëheqës për Institutin Global të Audituesve të Brendshëm me seli në SHBA.
Në vitet e fundit, Stavri ka vepruar si Kryetar i Komitetit të Kontrollit dhe Anëtar i Këshillit Drejtues i ish-Alpha Bank Albania. Aktualisht, Stavri është një Zhvillues i Biznesit të Qëndrueshmërisë në Volvo Cars, i fokusuar në sigurimin e pajtueshmërisë me qëndrueshmërinë dhe integrimin e praktikave të qëndrueshmërisë në operacionet e biznesit global.

Anëtare e Këshillit Drejtues
Mandati Aktual - 19.04.2023 – 19.04.2027
Znj. Orsolya Kovacs, shtetase Hungareze, është diplomuar në Universitetin Corvinus të Budapestit në profilin Menaxhim dhe Organizim. Znj. Kovacs punon në industrinë bankare që nga viti 2006, vit në të cilin është bashkuar me OTP Group si analiste financiare. Që nga viti 2022, znj. Orsolya Kovacs është Drejtoreshë e Departamentit të Analizës Strategjike përgjegjëse për mbështetjen e vendimmarrjes strategjike në OTP Group. Prej vitit 2022, znj. Kovacs është anëtare e Bordit Mbikëqyrës të OTP Home, një filial i OTP Group për ofrimin e ekosistemit të pasurive të paluajtshme në internet të OTP Group. Znj. Kovacs është anëtare e Këshillit Drejtues të OTP Albania që nga viti 2023.

Anëtar i Këshillit Drejtues
Mandati Aktual - 01.11.2024 - 01.11.2028
Z. Ilir Ciko është një ekonomist shqiptar i cili ka një Master në Administrim Publik nga Universiteti i Harvardit dhe një MBA nga Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Nebraskës. Z. Ciko ka përvojë të konsiderueshme dhe angazhim afatgjatë në menaxhimin e institucioneve dhe ekipeve private e publike, si dhe në zhvillimin dhe zbatimin e projekteve të mëdha dhe buxheteve. Përvoja e tij 27 vjeçare përfshin kërkime dhe konsulenca të ndryshme zhvillimi për organizata ndërkombëtare, kontribut si ekspert në administratën publike, duke përfshirë pozicionin e zëvendësministrit të ekonomisë (2003-2005) dhe aktivitet të vazhdueshëm akademik që nga viti 2004 si pedagog në Universitetin e New York në Tiranë dhe aktualisht në Institutin Kanadez të Teknologjisë. Për shumë vite, Z. Ciko ka shërbyer në bordet e korporatave më të mëdha publike dhe private në Shqipëri. Gjatë periudhës 2012 – 2022 ka shërbyer si anëtar i pavarur i bordit drejtues të ish-Alpha Bank Albania dhe anëtar i komitetit të riskut të bankës. Z. Ciko ka kontribuar në përgatitjen e dokumenteve të dukshme të zhvillimit të qëndrueshëm dhe strategjik për Shqipërinë, duke përfshirë së fundmi Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022-2030 dhe shumë raporte dhe dokumente politikash që lidhen me rrugën e Shqipërisë në arritjen e Axhendës 2030 SDGs. Ai ka qenë autor i shumë artikujve dhe publikimeve mbi një spektër të gjerë çështjesh ekonomike në Shqipëri dhe rajon dhe ka qenë anëtar akademik i FMN-së në Takimet Pranverë të Bankës Botërore dhe FMN-së. Ai është bashkëthemelues, dhe president i Klubit të Harvardit të Shqipërisë për periudhën 2014-2020.

Anëtar i Këshillit Drejtues
Mandati Aktual - 29.06.2023 – 29.06.2027
Z. Örs Levente Szilágyi, shtetas hungarez, është diplomuar në Universitetin Corvinus të Budapestit me fokus drejtimin e analizës së investimeve dhe menaxhimit të rrezikut (2007). Ai zotëron gjithashtu një diplomë të përbashkët MBA në Administrim Biznesi nga Mastriht School of Management dhe SEED Hungary (2020).
Z. Szilágyi ka punuar në industrinë bankare që nga viti 2007 në fushën e menaxhimit të rrezikut. Karriera e tij ka filluar si zhvillues i modeleve të riskut dhe që prej vitit 2010 ka drejtuar departamente të ndryshme të rrezikut në sektorin bankar hungarez.
Z. Szilágyi u bashkua me OTP Group në vitin 2016 si Drejtor i Departamentit të Përgjithshëm të Analizës dhe Modelimit, rol të cilin e mban dhe sot.
Që nga viti 2023, z. Szilágyi është anëtar i Bordit Mbikëqyrës të OTP Faktoring cPlc. filial i OTP Group.
Z. Szilágyi është anëtar i Këshillit Drejtues i Bankës OTP Albania që nga viti 2023.