
Detyrimi për njoftimin e bankës
Nëse ju dhe bashkëshorti juaj po kaloni në një proces divorci, ju mund të keni pasuri dhe/ose detyrime të përbashkëta si kredi, llogari bankare, llogari kursimi që do të preken nga ndryshimi i statusit tuaj. Në këtë rast do t’ju duhet të kontaktoni bankën për t’a vënë në dijeni mbi ndryshimet e rrethanave tuaja dhe pasojat që vijojnë.
Çfarë ndodh me produktet dhe shërbimet bankare?
Në rastin e llogarive ose depozitave të përbashkëta, bashkëshortët mund të vendosin të mbyllin produktin e përbashkët dhe të hapin gjithsecili nga një personal. Por deri atëherë, fondet në llogari rrjedhëse / llogari kursimi / depozitë mund të përdoren / shpenzohen nga gjithsecili prej bashkëshortëve, nëse kur është çelur llogaria / depozita është zgjedhur kushti “OSE”. Kushti “OSE” nënkupton nënshkrime të ndara, pra për të kryer veprime në depozitë është e mjaftueshme prania e njërit prej titullarëve, pa qenë e nevojshme prania e titullarit tjetër.
Nëse kur është çelur llogaria / depozita është zgjedhur kushi “DHE”, kjo nënkupton nënshkrime të përbashkëta. Pra, për të kryer veprime në depozitë duhet të jenë të pranishëm të gjithë titullarët. Asnjë transaksion nuk mund të realizohet pa miratimin e të gjithë titullarëve.
Nëse keni një kredi të përbashkët, ju të dy do të mbeteni njësoj përgjegjës për përmbushjen e pagesave mujore.
Edhe në rastin e ekzistencës së një marrëveshjeje për ndarjen e pasurisë, ku bashkëshortët mund të bien dakord që njëri prej tyre të marrë përsipër të paguajë kredinë e mbetur, kjo nuk mund të bëhet pa pëlqimin e Bankës. Në kushte të tilla, Banka ribën një analizë të situatës financiare në kushtet e reja dhe në varësi të saj, Banka mund të japë ose jo pëlqimin për ndryshimin e debitorit.
“Ngrirja” e llogarive bankare
Ju nuk mund t’i kërkoni bankës që të ngrijë llogaritë / depozitat tuaja bankare të përbashkëta nëse planifikoni të ndaheni nga bashkëshorti juaj. Një gjë e tillë mund të bëhet vetëm nëse paraqitet dokumenti ligjor që e legjitimon veprimin (psh. një vendim gjykate, urdhri i përmbaruesit, etj).
Nëse jeni të interesuar të dini më shumë mbi Zgjidhjen e Martesës, ju lutemi referohuni tek Kodi i Familjes.
Shënim: Ky material është përgatitur në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Në rast mospërputhjeje mes dy versioneve, versioni shqip prevalon.