CRS është një rregullore ndërkombëtare kundër evazionit fiskal dhe mashtrimit tatimor, aprovuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në vitin 2014 me kërkesën e G20. Rregullorja mbështetet në shkëmbimin automatik të informacionit mes juridiksioneve anëtare pjesë të marrëveshjes mbi “CRS”, duke i’a besuar këtë Institucioneve Financiare të këtyre shteteve. Shqipëria është bërë pjesë e marrëveshjes mbi CRS në bazë të Vendimit nr.178, datë 09.03.2016 të Këshillit të Ministrave dhe në bazë të ligjit nr. 04/2020 datë 30.01.2020 “Për shkëmbimin Automatik të Informacionit të Llogarive Financiare” ku angazhohet të zbatojë detyrimin mbi CRS.
Të gjitha Institucionet Financiare në juridiksionet përkatëse pjesëmarrëse, duke përfshirë edhe bankat në Shqipëri, kanë detyrim ligjor të jenë në përputhje me dispozitat në fuqi mbi “CRS”, për të grumbulluar informacion mbi klientët e tyre, qofshin ata individë, profesione të lira, kompani apo organizime të tjera ligjore të cilat gjenerojnë të ardhura financiare dhe në rrethana të caktuara çdo person kontrollues.
Institucioneve Financiare (perfshirë OTP Bank Albania) u kërkohet të raportojnë llogaritë financiare të mbajtura nga klientët të cilët për qëllime tatimore janë rezidentë në një juridiksion pjesëmarrës në marrëveshjen ndërkombëtare, tek Drejtoria e Pergjithshme e Tatimeve e cila mund të shkëmbejë informacionin me autoritetet tatimore të një vendi tjetër ose të vendeve në të cilat klienti mund të jetë rezident tatimor.
Detyrimi për të plotësuar një Vetë-Deklarim të vlefshëm vlen për të gjithë klientët, pavarësisht nga vendbanimi i tyre tatimor, pra, edhe për klientët që janë ekskluzivisht rezident tatimorë në Shqipëri.
Të gjithë klientët që duan të hapin një llogari të re kanë detyrimin të dorëzojnë një Vetë-Deklarim të vlefshëm për të vërtetuar vendbanimin e tyre tatimor dhe numrin/numrat e tyre të identifikimit tatimor
Në rrethana të caktuara edhe për Llogaritë ekzistuese të klientëve që nuk hapin një llogari të re, do t’u kërkohet të dorëzojnë një Vetë-Deklarim të vlefshëm në mënyrë që të përcaktojnë qartë rezidencën/ rezidencat tyre tatimore dhe numrin/numrat e tyre të identifikimit tatimor.
Formulari i vetë-deklarimit duhet të plotësohet në një nga degët e OTP Bank Albania sh.a. !
Banka nuk mund të vendosë marrëdhënie me një klient të ri, nëse ky i fundit nuk pranon të dokumentohet në kuadër të CRS!
Në rast të ndryshimeve në rrethana, klienti ka detyrim të njoftojë Bankën, duke plotësuar një formular të përditësuar Vetë-Deklarimi që përcakton rezidencën/at për qëllime tatimore
Informacione më të detajuara lidhur me Standardin e Përbashkët të Raportimit të OECD mund t’i gjeni në:
1. Portalin e shkëmbimit automatik të OECD
2. Faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve
Të dhëna të raportueshme sipas ligjit shqiptar për CRS
Raportimi i llogarive financiare përfshin të dhëna të caktuara për mbajtësin e llogarisë (në raste të caktuara edhe për personin kontrollues), si dhe të dhëna për llogarinë.
Bazuar në detyrimet ligjore informacioni i mëposhtëm është i detyrueshëm që t'i raportohet organit tatimor:
Për klientët individë:
• Emri;
• Adresa;
• Vendi/vendet e rezidencës tatimore;
• Numri / numrat i/e Identifikimit Tatimor (TIN);
• Vendi dhe data e lindjes së klientit mbajtës së një llogarie/depozite;
• Numri i llogarive/depozitave apo produkte të ngjashme pavarësisht emërtimit;
• Balanca e llogarisë/depozitës për vitin përkatës;
• Shuma totale bruto të interesave të gjeneruara gjatë vitit, si dhe çdo informacion tjetër të përcaktuar me akt ligjor apo nënligjor nga autoritetet kompetente të Republikës së Shqipërisë.
Në rastin e subjekteve ligjore (entiteteve), organizimeve ligjore si truste apo partneritete, personit/ personave kontrollues të subjektit ligjor, identifikuar në përputhje me dispozitat e Ligjit nr 9917-2008 i ndryshuar Për Parandalimin e Pastrimit të Parave:
• Emri ligjor i personit juridik;
• Vendi i themelimit;
• Adresa aktuale e rezidencës fiskale (rruga, numri, kodi postar, qyteti/provinca, shteti);
• Numri (at) i identikimit tatimor;
• Adresa e selisë drejtuese,në rast se shteti ndryshon nga adresa aktuale e regjistrimit (rruga, numri, kodi postar, qyteti/provinca, shteti);
• Për personin/ personat kontrollues të entitetit do të raportohen të dhëna si klientët individë nëse konsiderohen persona të raportueshëm.
Llogaritë "e përjashtuara" të cilat nuk raportohen.
Ligji ka përcaktuar edhe përjashtime të caktuara për llogari të cilat nuk janë të raportueshme, për klientë të veçantë që nuk përcaktohen si "të raportueshëm", ku përfshihen:
• Disa kategori të institucioneve financiare,
• Organizata ndërkombëtare,
• Entitete qeveritare,
• Bankat Qendrore,
• Korporata, aksionet e së cilës tregëtohen rregullisht në një ose më shumë tregje të stabilizuara të letrave me vlerë (ose një entitet i lidhur me to).
FATCA (Foreing Account Tax Compliance Act) është Ligji që lidhet me përputhshmërinë me detyrimet tatimore të llogarive të menaxhuara jashtë SH.B.A. për shtetas Amerikanë) është legjislacioni amerikan i shpallur më 18 Mars 2010 dhe ka hyrë në fuqi nga 1 Korrik 2014.
FATCA është një kërkesë rregullatore ndaj institucioneve të huaja financiare për të raportuar informacion në lidhje me të ardhurat direkte ose indirekte të atyre që janë taksapagues amerikan pranë autoritetit të taksave në Amerikë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Autoritetin e Taksave për zbatimin dhe respektimin e kërkesave rregullatore të FATCA, Banka OTP Albania është e regjistruar pranë IRS (Institucioni Tatimor Amerikan) si një Institucion Financiar Raportues në lidhje me çështjet e FATCA dhe si rrjedhoje i lind detyra të identifikojë të gjitha llogaritë e mbajtura në mënyrë direkte ose indirekte nga personat Amerikanë.
Përmbushja e kërkesave të identifikimit dhe raportimit të klientëve në kuadër të FATCA bazohet në dhënien e pëlqimit nga ana e tyre.
Banka nuk mund të vendosë marrëdhënie me një klient të ri, nëse ky i fundit nuk pranon të dokumentohet në kuadër të FATCA. Gjithashtu në rastin e klientit ekzistues procedohet me mbylljen e llogarive ekzistuese, nëse klienti i padokumentuar vijon të mos pranojë të dokumentohet në kuadër të FATCA.
Për të përmbushur të gjithë detyrimet e sipër përmendura, të gjithë klientët e Bankës kanë detyrim të plotësojnë dhe të nëshkruajnë një formular Vetë-Deklarimi.
Ky formular është i vlefshëm për të deklaruar rezidencën tatimore dhe numrin/numrate tyre të identifikimit tatimor (TIN) apo nëse klienti është rezident për çështje tatimore në SH.B.A.
Formulari i Vetë-Deklarimit duhet të plotësohet nga të gjithë klientët e Bankës edhe nëse mbajnë rezidencë të vetme në Shqipëri.
Banka mbështetet kryesisht në të dhënat e këtij formulari, i cili është një dokument mbështetës i detyrueshëm.
Në rast të ndryshimeve në rrethana, brënda 90 ditëve nga ndryshimi në rrethana, klienti ka detyrim të njoftojë Bankën, duke plotësuar një formular të përditësuar Vetë-Deklarimi që përcakton rezidencën/rezidencat për qëllime tatimore!
Në rastet kur Banka ka dijeni se formulari i Vetë-Deklarimit është i pasaktë ose jo i besueshëm, njofton klientin i cili ka detyrimin që të plotësojë dhe depozitojë në Bankë një formular të vlefshëm Vetë-Deklarimi që përcakton rezidencën/ rezidencat për qëllime tatimore të tij apo të paraqesë informacionin dhe dokumentacionin e nevojshëm (sipas rastit) që mbështet vlefshmërinë e vetëdeklarimit fillestar.
Për pyetje apo informacione të tjera, apo për tu pajisur me format e vetë-deklarimit jeni të lutur të paraqiteni pranë çdo dege të Bankës OTP Albania sha.