OTP Bank

OTP Bank Albania vlerësohet me çmimin Euromoney për vitin 2023

OTP Bank Albania ka përmbyllur një kapitull tepër të suksesshëm për vitin 2023 duke u vlerësuar nga revista prestigjioze Euromoney me dy çmime të reja, si pjesë e vlerësimeve të kategorisë Euromarket Leaders për vitin 2023: “Market Leader Corporate Banking”, si edhe “Highly Regarded Digital Solutions”. Këto çmime u komunikuan me shumë kënaqësi nga prestigjiozja Euromoney.

Me këtë vlerësim të ri, si në dimensionin e shërbimit të biznesit ashtu edhe në atë të digjitalizimit të shërbimeve bankare, Banka OTP Albania përforcon rolin e saj si një bankë dinamike dhe ambicioze, e cila ka një vizion të qartë për sukses të mëtejshëm.

Çmimet e Euromoney, të njohura si “Euromoney Awards for Excellence” jepen nga revista financiare “Euromoney”, e themeluar në vitin 1969 dhe e njohur për analizat e saj të thella në industrinë financiare globale. Ndërsa kategoria e vlerësimit “Euromarket Leaders”, prezantohet nga Euromoney që prej vitit 2022 si një program inovativ, i cili akrediton performancën e institucioneve financiare dhe bankare.

Lidhur me këtë vlerësim Z. Ferid Shijaku, Drejtor i Divizionit të Biznesit, si edhe Anëtar i Bordit të Menaxhimit në Bankën OTP Albania shprehet për revistën Monitor: “Çmimet Euromoney janë të njohura për rigorozitetin dhe integritetin e tyre, duke i bërë ato ndër më prestigjiozet në sektorin financiar ndërkombëtar. Për Bankën OTP Albania, ky çmim shërben si një dëshmi e angazhimit të Bankës ndaj cilësisë së lartë të shërbimit dhe inovacionit, duke rritur në këtë mënyrë prestigjin dhe besueshmërinë e saj në tregjet lokale dhe ndërkombëtare.”

Përmbushjet e objektivave, tejkalimet e sfidave, zhvillimi dhe rritja e qëndrueshme i japin vlerë një institucioni financiar, po aq sa edhe indikatorët e tjerë bankarë të cilët kanë qenë në fokus të çmimeve të tjera të merituara më herët: “Euromoney vlerëson disa kritere gjatë përzgjedhjes së fituesve, të tilla si: performanca financiare, shkalla e inovacionit, zhvillimi i strategjive të qëndrueshme dhe kënaqësia e klientit. Për Bankën OTP Albania, fokusi kryesor ka qenë tek shërbimet e personalizuara, strategjitë e qëndrueshme dhe kënaqësia e klientëve, të cilat së bashku kanë kontribuar në përmirësimin e performancës së përgjithshme të bankës.” – vijon Z. Shijaku.

Vlerësimi i dhënë nga Euromoney për Bankën OTP Albania, lidhet kryesisht me performancën e shkëlqyer të Divizionit të Biznesit, fokusi dhe ekspertiza e të cilit përcjell edhe veçoritë dalluese krahasuar me tregun lokal.

Në këtë kontekst Z. Shijaku shpjegon se: “Divizioni i Biznesit në Bankën OTP Albania dallohet nga një qasje e personalizuar ndaj klientëve korporativë dhe nga adaptimi i produkteve dhe shërbimeve financiare ndaj kërkesave specifike të klientëve. Kultura e fortë e shërbimit ndaj klientit ka siguruar një nivel të lartë të kënaqësisë së klientëve, në raport me sistemin bankar. Një tjetër veçori është stabiliteti i ofertës së kredive për korporata, si në aspektin e vëllimit ashtu edhe të çmimeve, duke u ofruar klientëve parashikueshmëri në marrëdhëniet e tyre me bankën. Shtojmë këtu dhe përdorimin e teknologjive të fundit, për të ofruar zgjidhje digjitale të avancuara.”

Z. Shijaku me kënaqësi shpreh se evoluimi i Divizionit të Biznesit në Bankën OTP Albania, ka ndjekur një linjë progresive duke përmirësuar vazhdimisht ofertën dhe cilësinë e shërbimeve për të përmbushur kërkesat në ndryshim të korporatave në Shqipëri. Ky progres është zhvilluar në linjë me strategjinë e Bankës, e cila ka kryer investime të konsiderueshme në staf, teknologji, si edhe ka zgjeruar portofolin e saj të produkteve për të mbështetur rritjen dhe operacionet e klientëve korporatë, duke krijuar njëkohësisht një kulturë të marrëdhënieve transparente dhe proaktive me ta: “Prioritetet tona përfshijnë transparencën, dëgjimin e nevojave të klientit, ofrimin e zgjidhjeve të personalizuara dhe reagimin e shpejtë ndaj kërkesave të tyre. Por atributi kryesor për marrjen e këtij vlerësimi prestigjioz, i shkon gjithë ekipit të Divizionin të Biznesit. Ky bashkëpunim ka qenë dhe mbetet thelbësor për suksesin e Bankës OTP Albania. Banka nxit një kulturë të bashkëpunimit, ku çdo anëtar i ekipit kontribuon në arritjen e objektivave të përbashkëta, çka çon në realizimin e projekteve të mëdha dhe fitimin e çmimeve të këtij niveli.”

E ardhmja e Bankës OTP Albania premton të mbetet po aq dinamike dhe ambicioze sa e tashmja, me synimin për të vazhduar të jetë lider në ofrimin e shërbimeve korporative në Shqipëri. Në kuadrin e strategjive të saj, Banka OTP Albania planifikon të zgjerojë më tej gamën e shërbimeve, të investojë në teknologjitë e reja dhe të performojë me fleksibilitet në përshtatje me tendencat e tregut, duke mbështetur rritjen e klientëve të saj korporativë: “Aspirata jonë është që klientët të shohin Bankën OTP Albania si zgjedhjen e tyre të parë për transparencën, zgjidhjet e personalizuara dhe si partnerin e tyre bankar në ditët e mira dhe ato të vështira.” – përfundon Z. Shijaku.

Banka OTP Albania është pjesë e Grupit Bankar OTP me seli qendrore në Hungari, i cili është një nga grupet bankare lider me rritjen më të shpejtë ndër grupet e rajonit të Evropës Qëndrore dhe Lindore, me pozicionim të shkëlqyer përsa i përket përfitueshmërisë, stabilitetit në kapital dhe likuiditetit.

Krenare jo vetëm si pjesë e Grupit OTP, por edhe si kontribuese e zhvillimit të sektorit bankar në Shqipëri me rezultate të shkëlqyera, Banka OTP Albania sfidon drejt përsosmërisë, duke planifikuar horizonte suksesi në vitet në vijim!



Lista e lajmeve