Kultura e pasur dhe shpirti intelektual hungarez kanë mbërritur në Shqipëri për të tretin vit rradhazi e do të jenë pranë artëdashësit të Tiranës dhe disa prej qyteteve të tjera në Shqipëri, përmes Javës Kulturore Hungareze.
Këtij aktiviteti, i cili do të zhvillohet përgjatë datave 2-6 shtator, 2024, i është bashkuar me shumë kënaqësi edhe Banka OTP Albania përmes mbështetjes së saj financiare, si dhe me dëshirën për të nxjerrë në pah zhvillimin ekonomik, kulturën dhe inovacionin që mishëron kombin hungarez dhe prezencën hungareze në Shqipëri, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Java Hungareze e kulturës nisi aktivitetin përmes një ceremonie të mbajtur në mjediset e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, tek Piramida në mesin e një ekspozite magjepsëse të punimeve në xham nga artistja hungareze Yvette Botzku, ku spikati edhe punimi për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Në këtë ceremoni ku morën pjesë personalitete, trupi diplomatik hungarez, artistë shqiptarë e hungarezë, si edhe Drejtori i Përgjithshëm i Bankës OTP Albania, z. Bledar Shella, u përcoll mesazhi i forcimit të urave të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe kulturave nëpërmjet këtij aktiviteti.
“Banka OTP Albania është një nga investimet e para të mëdha hungareze në Shqipëri dhe Grupi OTP është i dedikuar të vijojë rritjen e tij në vendin tonë. Ne do të vazhdojmë të japim kontributin tonë jo vetëm për zhvillimin e ekonomisë por edhe atë të kulturës dhe artit”, u shpreh Z. Shella gjatë fjalës përshëndetëse në ceremoninë e hapjes së këtij aktiviteti.
Mbrëmja e 2 shtatorit ndezi Sheshin ‘Italia’ në Tiranë, me Festën e Madhe Hungareze, ku Grupi folklorik Szinvavölgyi Néptáncműhely solli ritëm dhe nota muzikore, përmes një performance të veçantë.
Java Hungareze e Kulturës premton një përvojë unike tingujsh e ngjyrash, artistë të një niveli ekselent që do të jenë të pranishëm në Shqipëri deri në datën 6 shtator, 2024.











