OTP Bank

OTP Bank Albania nënshkruan marrëveshjen me ASD

OTP Bank Albania i është shtuar së fundmi grupit të agjentëve të kompensimit të depozitave si banka e katërt e përzgjedhur nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, duke nënshkruar marrëveshjen e partneritetit në datën 11 shtator, 2024.

Kjo marrëveshje mes OTP Bank Albania dhe Agjencisë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave, u formalizua në një ceremoni të mbajtur në mjediset e zyrave qendrore të OTP Bank Albania. Akti i nënshkrimit u krye nga z. Bledar Shella, Drejtor i Përgjitshëm i OTP Bank Albania dhe z. Genci Mamani, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, nën praninë e znj. Liljana Shkodra, Drejtore e Divizionit Retail dhe Anëtare e Bordit të Menaxhimit në OTP Bank Albania, si dhe z. Attila Kovacs, Drejtor i Divizionit të Financës dhe Anëtar i Bordit të Menaxhimit.

Z. Shella vlerësoi përzgjedhjen e Bankës në këtë proces, si dhe theksoi se firmosja e kësaj marrëveshje do të thellojë ndërveprimin dhe bashkëpunimin mes dy institucioneve.

Përzgjedhja e OTP Bank Albania si një bankë agjente konsiston në rolin e agjentit për kompensimin e depozitave të siguruara në vendin tonë, e cila vjen si një vlerë e shtuar në kontekstin ekonomiko-financiar në Shqipëri, duke përforcuar stabilitetin bankar, por dhe duke përforcuar më tej rolin dhe pozicionin e Bankës.

Kontrata e nënshkruar midis dy palëve, e vlefshme për një periudhë tre vjeçare,  ka për qëllim të zbusë procesin e ripagimit të depozitave të siguruara dhe të ulë përqendrimin e riskut në tregun bankar shqiptar.

Në kontekstin e tregut financiar, OTP Bank Albania dominon tashmë territorin e Shqipërisë, ndërsa renditet e treta në tregun bankar shqiptar për kredidhënie në segmentin për individë dhe atë të biznesit.

OTP Bank Albania është pjesë e Grupit OTP me qendër në Hungari, një nga grupet bankare lider, me rritjen më të shpejtë ndër grupet e rajonit të Evropës Qendrore dhe Lindore, me pozicionim të shkëlqyer përsa i përket përfitueshmërisë, stabilitetit në kapital dhe likuiditetit.



Lista e lajmeve