OTP Bank

OTP Bank Albania kontribuon në kredinë sindikale prej 20 milionë euro, për energjinë e gjelbër

Si pjesë e një konsorciumi bankar, OTP Bank Albania mbështet projektin fotovoltaik në Sheq-Marinas, për të nxitur tranzicionin energjetik dhe zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë.

OTP Bank Albania, si një nga bankat udhëheqëse për inovacion dhe financim të qëndrueshëm është krenare të konfirmojë pjesëmarrjen e saj në kredinë sindikale prej 20 milionë eurosh, për ndërtimin e impiantit fotovoltaik në Sheq-Marinas, Fier. 

Si bankë pjesëmarrësë në këtë projekt, OTP Bank Albania kontribuon në zhvillimin e ekonomisë vendase, përmes këtij projekti të rëndësishëm të energjisë së rinovueshme. Ky angazhim vjen si rezultat i përvojës së OTP Bank Albania në financimin e infrastrukturës dhe projekteve të tjera me rëndësi strategjike në fushën e energjisë së rinovueshme, – si rasti i Ayen AS (110 milionë euro kredi sindikale) dhe financimet për projekte rrugore dhe aeroportuale. 

Ndërkohë, lehtësimi nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet uljes së peshës së riskut (nga 100% në 50%) për kreditë për zhvillim të infrastrukturës— ka luajtur një rol themelor në financimin e projekteve të tilla, duke ndihmuar bankat të përballojnë më lehtë investime të tilla me impakt të lartë.

“Shtimi i financimeve për sektorin e energjisë së rinovueshme është një prej prioriteteve tona strategjike. Si pjesë e këtij konsorciumi të rëndësishëm, OTP Bank Albania riafirmon angazhimin në ndërtimin e një të ardhme të gjelbër dhe të qëndrueshme për Shqipërinë.” – u shpreh z. Bledar Shella, CEO i OTP Bank Albania.

Ky financim jo vetëm mbështet energjinë e pastër dhe diversifikimin e burimeve energjetike, por edhe thekson rolin e OTP Bank Albania, si një partner i besueshëm dhe vizionar për zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit. 

Si pjesë e Grupit OTP, një ndër grupet bankare më të mëdha dhe më të qëndrueshme në Evropën Qendrore dhe Lindore, OTP Bank Albania sjell në tregun bankar shqiptar ekspertizë ndërkombëtare dhe qasje inovative në financimin e projekteve strategjike. Mbështetja e Grupit ofron zgjidhje financiare afatgjata dhe të qëndrueshme, duke kontribuar në përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.



Lista e lajmeve