OTP Bank

OTP Bank Albania drejt fuqizimit të lidershipit në sigurinë kibernetike, me Certifikimin ISO 27001

OTP Bank Albania shënon një arritje të re me marrjen zyrtarisht të certifikimit ndërkombëtar ISO/IEC 27001, duke shënuar kështu dhe një hap të rëndësishëm në rrugëtimin drejt transformimit digjital dhe ekselencës në sigurinë e informacionit.

Ky certifikim — standardi më i njohur në botë për sistemet e menaxhimit të sigurisë së informacionit — thekson angazhimin e Bankës OTP Albania për mbrojtjen e të dhënave të klientëve, forcimin e qëndrueshmërisë operacionale dhe ndërtimin e besimit afatgjatë, me klientët dhe partnerët.

Për OTP Bank Albania, ISO/IEC 27001 është shumë më tepër se një arritje teknike: ai përfaqëson një vendim strategjik për ta integruar sigurinë e informacionit, në çdo hallkë të operacioneve — nga infrastruktura teknologjike dhe qeverisja e të dhënave, deri tek vetë kultura organizative.

Për këtë arritje z. Reglendi Xhango, Drejtor i Departamentit të Sigurisë në OTP Bank Albania, shprehet:

‘Ky certifikim nuk lidhet thjesht me përputhshmërinë, por me vetë lidershipin. Ai është një dëshmi konkrete që banka e konsideron sigurinë si një element kyç të transformimit digjital dhe e aplikon atë në mënyrë të unifikuar në të gjithë sistemet e saj teknologjike.’

Arritja e certifikimit ishte një konkretizim i suksesshëm i përkushtimit dhe i koordinimit profesional mes Divizionit Digjital e atij të Retail Banking, si dhe Departamenteve të Përputhshmërisë dhe PPP, Burimeve Njerëzore dhe Auditit të Brendshëm në OTP Bank – ku fokusi ka qenë tek menaxhimi tepër i kujdesshëm dhe i specializuar përpara vlerësimit përfundimtar nga trupa e jashtme certifikuese. 

‘Rrugëtimi drejt certifikimit ishte një angazhim i përbashkët, si dhe një investim afatgjatë në cilësi – vijon z. Xhango. – OTP Bank Albania është një nga vetëm pesë bankat në Shqipëri që ka arritur certifikimin ISO 27001, duke u pozicionuar si lider në fushën e sigurisë së informacionit. Si pjesë e Grupit OTP, një nga grupet më të mëdha bankare në Evropën Qendrore dhe Lindore, ky certifikim e vendos bankën në një pozitë influencuese për inovacionin dhe përparimin në sigurinë kibernetike në rajon.’

Ndërtimi i një të ardhmeje të sigurt për klientët dhe partnerët

Certifikimi ISO shkon përtej proceseve të brendshme — ai ndikon drejtpërdrejt në përvojën dhe besimin e klientëve dhe partnerëve të bankës. Çdo shërbim, produkt apo teknologji e re që zhvillohet në OTP Bank Albania i nënshtrohet tashmë vlerësimit rigoroz të sigurisë, në përputhje me standardet ISO 27001. Kjo siguron që të dhënat dhe asetet digjitale të klientëve, të jenë të mbrojtura vazhdimisht nga rreziqe të tilla si: sulmet kibernetike, qasjet e paautorizuara apo humbja e të dhënave.

Kjo arritje forcon më tej vizionin e OTP Bank Albania për të udhëhequr me përgjegjësi në peizazhin digjital bankar të Shqipërisë, duke promovuar një kulturë transparence, inovacioni dhe përmirësimi të vazhdueshëm.

OTP Bank Albania është pjesë e Grupit OTP, një prej grupeve më të mëdha bankare në Evropën Qendrore dhe Lindore, që i shërben mbi 17 milionë klientëve në 12 vende. E udhëhequr nga inovacioni, përgjegjësia dhe qasja ndaj klientit, OTP vijon të investojë në transformimin digjital, sigurinë kibernetike dhe praktikat bankare të qëndrueshme — duke ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe më inteligjente për klientët e saj.



Lista e lajmeve