Më 23 janar 2025, OTP Bank Albania dhe Western Balkans University (WBU) nënshkruan një marrëveshje strategjike bashkëpunimi, e cila u zyrtarizua përmes një ceremonie të organizuar në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të bankës. Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë z. Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës OTP Albania, dhe Prof. Dr. Ferdinand Gjana, President i WBU.
Ky partneritet synon të krijojë mundësi të reja për zhvillimin profesional dhe personal për studentët e WBU, punonjësit e OTP Bank Albania, dhe familjarët e tyre. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje:
Punonjësit e bankës do të përfitojnë një zbritje prej 20% nga tarifat e shkollimit në Western Balkans University.
Familjarët e punonjësve do të kenë gjithashtu mundësinë të përfitojnë një zbritje prej 10%.
Gjithashtu, kjo marrëveshje parashikon një shkëmbim të rëndësishëm eksperiencash dhe dijeve mes institucioneve. Studentët e WBU do të kenë mundësinë të zhvillojnë praktikën e punës pranë Bankës OTP Albania, duke përfituar përvojë në një mjedis bankar profesional. Në të njëjtën kohë, ekspertët e bankës do të kontribuojnë me leksione, seminare dhe workshop-e, duke ndarë njohuritë dhe përvojën e tyre me të rinjtë.
Ky bashkëpunim do të shtrihet edhe përmes aktiviteteve të përbashkëta si seminare dhe evente, duke synuar të fuqizojë arsimin e lartë dhe zhvillimin rajonal.
“Ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm për të investuar në të ardhmen e arsimit dhe për të mbështetur zhvillimin e komunitetit tonë,” u shpreh z. Bledar Shella gjatë ceremonisë. Nga ana tjetër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana theksoi se “Bashkëpunime të tilla janë çelësi për të krijuar një urë lidhëse mes teorisë dhe praktikës.”
Banka OTP Albania mirëpret impaktin pozitiv të këtij partneriteti dhe inkurajon punonjësit dhe studentët të eksplorojnë mundësitë që sjell kjo marrëveshje.
Së bashku, për një të ardhme më të mirë!

