Jonila Janku, me shtetësi shqiptare, është diplomuar në Administrim Biznesi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Ajo gjithashtu ka një Master në të njëjtën fushë nga Universiteti i Nju Jorkut në Tiranë.
Me 15 vjet eksperiencë në sektorin privat në disa pozicione drejtuese, Jonila Janku është një eksperte në tregun vendas të Medias, Marketingut dhe të Komunikimit.
Jonila Janku filloi karrierën e saj në prill të vitit 2003 si menaxhere e llogarisë në Albvizion shpk, duke vijuar më pas në Top Media Group. Në gusht të vitit 2004, ajo themeloi degën e agjencisë Grey World Wide në Shqipëri dhe mori përsipër menaxhimin e kësaj agjencie.
Prej gushtit 2005 deri në janar të vitit 2015, ajo ndërtoi karrierën e saj 10-vjeçare si Drejtore e Departamentit të Marketingut në Digitalb sh.a, televizioni më i madh me pagesë dhe marka më e fuqishme Shqiptare. Ajo e krijoi këtë departament ndërkohë që kompania sapo ishte themeluar. Në shkurt të vitit 2015 ajo u emërua Drejtore Komerciale në KA Trading sh.p.k. Shqipëri.
Paralelisht ajo ka kontribuar si lektore e jashtme ose folëse e ftuar në disa institucione arsimore si, UET, UNYT, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës. Jonila Janku filloi punë në Societe Generale Albania në nëntor të vitit 2015 si Drejtore e Departamentit të Marketingut.