Erjon Taçe është shtetas shqiptar, i diplomuar në vitin 2000 në “Financë dhe Kontabilitet” me profilin “Bankë”, pranë Fakultetit Ekonomik, Universiteti i Tiranës, në Shqipëri dhe zotëron një diplomë Master në të njëjtën fushë nga Qendra e Asistencës së Institucioneve Financiare dhe e Zhvillimit “Giordano Dell’Amore”, Republika e Italisë.
Ai ka nisur karrierën në qershor të vitit 2000 në Bankën e Kursimeve (sot Raiffeisen Bank). Deri në shkurt të vitit 2004, ai ka punuar në Departamentin e Thesarit dhe Investimeve, në Dealing Room, si trader në Këmbime Valutore dhe Tregun e Parasë.
Në muajin shkurt 2004, Erjon Taçe i është bashkuar Bankës që në themelimin e saj (ish – Banka Popullore), me drejtimin e aktivitetit të Thesarit. Në vitin 2007, Banka bëhet pjesë e Grupit Societe Generale.
Ai menaxhoi kalimin e Departamentit të Thesarit drejt një fokusi komercial si pjesë e bankingut të Biznesit. Që nga viti 2019 Banka bëhet pjesë e grupit OTP. Erjon Taçe është aktualisht në pozicionin e Drejtorit të Departamentit të Thesarit, në një ambient sfidues të një tregu në zhvillim dhe ku Banka synon të jetë lider në treg.