Eralda Disha ka ndjekur studimet e larta për Financë-Bankë pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës dhe është diplomuar në vitin 2010. Menjëherë me përfundimin e studimeve, i është bashkuar Bankës Societe Generale Albania në pozicionin e Asistentës Administrative pranë Departamentit te Sekretariatit të Përgjithshëm.
Paralelisht me punësimin, gjatë viteve 2013-2015 ka ndjekur studimet pasuniversitare duke u pajisur me Diplomën Master Profesional në Financë. Në vitin 2014, Eralda Disha kaloi në pozicionin e Specialistes së Përputhshmërisë dhe Parandalimit të Pastrimit të Parave në Sektorin e Kontrollit të Vazhdueshëm.
Ky moment shënoi një kthesë në rrugën e karrierës duke e fokusuar në fushat e menaxhimit të risqeve. Në vitin 2018, ajo u promovua duke i besuar Sektorin e Riskut Operacional të cilin e menaxhoi për një periudhë të shkurtër afro 2 vjeçare gjatë së cilës Banka behet pjesë e Grupit OTP.
Në shtator 2019, Eralda Disha kthehet sërish në menaxhimin e riskut të përputhshmërisë dhe parandalimin e pastrimit të parave si Përgjegjëse e këtij Sektori të cilin e drejtoi për rreth tre vite.
Aktualisht, Eralda Disha është emëruar Drejtore e Departamentit të Përputhshmërisë dhe Parandalimit të Pastrimit të Parave, i cili synon të mbrojë aktivitetin e Bankës dhe të sigurojë qendrueshmëri në një mjedis gjithmonë e më shumë sfidues.