OTP Bank

Armand Duka

Z. Armand Duka, shtetas Shqiptar, është diplomuar në Universitetin e Tiranës (Shqipëri), Dega e Ekonomisë për Industri në vitin 1986. Z. Duka ka filluar karrierën në profesionin e Ekonomistit në Parkun e Mallrave në Burrel në vitet 1986-1990. Gjatë viteve 1990-1991, z. Duka ka ushtruar profesionin e tij si ekonomist në parkun e mallrave të eksportit në Durrës.

Duke filluar nga viti 1993, Z. Armand Duka është sipërmarrës në sektorë të tjerë privatë, zotërues dhe aksionar në disa biznese të mirënjohura, ku rikonfirmon kështu aftësitë e tij shumë të mira menaxhuese dhe drejtuese. Z. Armand Duka është zgjedhur President i Federatës Shqiptare të Futbollit në vitin 2002, post të cilin e mban edhe aktualisht duke u rizgjedhur në vitet 2006-2010-2014-2018.

Gjatë këtyre viteve, në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit ka mbajtur dhe këto detyra: Anëtar i Komitetit të Federatave në UEFA (2008-2012); Zv/Kryetar i Komitetit të Federatave Kombëtare në UEFA (2006-2008); Zv/Kryetar i Komitetit të Kompeticioneve të Ekipeve Kombëtare (2008-2013); Zv/Kryetar i Komitetit të Federatave Kombëtare (2013-2016); Zv/ Kryetar i Komitetit HatTrick (2016-sot); Anëtar i Komitetit të Federatave në FIFA (2008-2012) dhe Anëtar i Komitetit Organizator të Kupës së Konfederatave (2012-2017).

Ndër vite, z. Armand Duka është nderuar me disa tituj, ku mund të përmendim: titullin “Qytetar Nderi” (1998) akorduar nga Bashkia e Shijakut dhe titujt “Nderi i Qytetit” (2001), “Simbol i Qytetit të Durrësit” (2002) dhe “Dyrrah – 3000” (2003) akorduar nga Bashkia e Qytetit të Durrësit dhe Shoqata “Durrësi”.

Në vitin 2010, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi e dekoron me titullin e lartë “Naim Frashëri” të Klasit të Parë, për kontribut të shquar, në drejtimin dhe zhvillimin e futbollit shqiptar. Në vitin 2019, z. Duka akordohet me titullin “Konsull nderi i Hungarisë” për Republikën e Shqipërisë. Duke filluar nga tetori, 2019, z. Armand Duka është anëtar i Këshillit Drejtues i Bankës OTP Albania.