Ngjarje të jetës

Shënim: Informacioni i mëposhtëm është vetëm për udhëzime të përgjithshme dhe nuk duhet të intepretohet si një dokument ligjor i detyrueshëm apo nuk duhet të intepretohet si interpretim ligjor i situatës suaj. Ju lutemi kontaktoni bankierin tuaj personal për të diskutuar në detaje rreth ndryshimit të rrethanave tuaja jetësore.

Njerëzit mund të kalojnë nëpër situata të ndryshme përgjatë jetës së tyre, situata të cilat mund të kenë tek ata ndikim pozitiv ose jo. Ne do të donim t’ju ndihmonim me disa informacione të dobishme për veprimet që duhen bërë, me qëllim rregullimin e situatës kundrejt marrëdhënies me bankën. Më poshtë ndodhet një udhëzim i përgjithshëm, të cilit mund t’i referoheni, nëse e konsideroni të nevojshme.

Martesa

1. Detyrimi për njoftimin e bankë

Me lidhjen e martesës, bashkëshortët mund të vendosin të ndryshojnë mbiemrin e tyre, duke marrë mbiemrin e bashkëshortit përkatës. Ky ndryshim pasqyrohet në Aktin e martesës dhe dokumentet e identifikimit si ID ose pasaportë.

Pasi të bëhet rinovimi i dokumentit të identifikimit në institucionet përkatëse, individëve u kërkohet t’a paraqesin atë në Bankë.

Përse është e rëndesishme kjo gjë?

  • Shmangen vështirësitë gjatë procesit të identifikimit në kohën që ju mund të paraqiteni në Bankë, për kryerjen e një transaksioni të caktuar.

  • Nuk do të hasni pengesa në përfitimin e produkteve apo shërbimeve bankare, pasi të keni paraqitur dokumentin e ri të identifikimit

Çfarë ndodh me produktet dhe shërbimet bankare?

  • Llogari dhe/ose Depozitë

Ju do të mbeteni pronari i vetëm i llogarive dhe depozitave tuaja personale të hapura përpara lidhjes se martesës.

  • Kredi

Ju do të mbeteni përgjegjësi i vetëm për shlyerjen e detyrimit ndaj bankës, në rast se ju keni qenë të financuar me një overdraft, kredi, kartë krediti ose një produkt tjetër kredie në emrin tuaj.

Shënim: Në rastin e një marrëveshjeje para-martesore, aty specifikohet regjimi pasuror martesor që bashkëshortët dëshirojnë të aplikojnë për pronën e tyre, ndryshe nga sa parashikon ligji.

Nëse jeni të interesuar të dini më shumë mbi Martesën, ju lutemi referohuni tek Kodi i Familjes

Zgjidhja e martesës

Detyrimi për njoftimin e bankës

Nëse ju dhe bashkëshorti juaj po kaloni në një proces divorci, ju mund të keni pasuri dhe/ose detyrime të përbashkëta si kredi, llogari bankare, llogari kursimi që do të preken nga ndryshimi i statusit tuaj. Në këtë rast do t’ju duhet të kontaktoni bankën për t’a vënë në dijeni mbi ndryshimet e rrethanave tuaja dhe pasojat që vijojnë.

1. Çfarë ndodh me produktet dhe shërbimet bankare?

  • Llogari dhe/ose depozitë

Në rastin e llogarive ose depozitave të përbashkëta, bashkëshortët mund të vendosin të mbyllin produktin e përbashkët dhe të hapin gjithsecili nga një personal. Por deri atëherë, fondet në llogari rrjedhëse / llogari kursimi / depozitë mund të përdoren / shpenzohen nga gjithsecili prej bashkëshortëve, nëse kur është çelur llogaria / depozita është zgjedhur kushti “OSE”. Kushti “OSE” nënkupton nënshkrime të ndara, pra për të kryer veprime në depozitë është e mjaftueshme prania e njërit prej titullarëve, pa qenë e nevojshme prania e titullarit tjetër.

Nëse kur është çelur llogaria / depozita është zgjedhur kushti “DHE”, kjo nënkupton nënshkrime të përbashkëta. Pra, për të kryer veprime në depozitë duhet të jenë të pranishëm të gjithë titullarët. Asnjë transaksion nuk mund të realizohet pa miratimin e të gjithë titullarëve.

  • Kredi

Nëse keni një kredi të përbashkët, ju të dy do të mbeteni njësoj përgjegjës për përmbushjen e pagesave mujore.

Edhe në rastin e ekzistencës së një marrëveshjeje për ndarjen e pasurisë, ku bashkëshortët mund të bien dakord që njëri prej tyre të marrë përsipër të paguajë kredinë e mbetur, kjo nuk mund të bëhet pa pëlqimin e Bankës. Në kushte të tilla, Banka ribën një analizë të situatës financiare në kushtet e reja dhe në varësi të saj, banka mund të japë ose jo pëlqimin për ndryshimin e debitorit.

2. “Ngrirja” e llogarive bankare

Ju nuk mund t’i kërkoni bankës që të ngrijë llogaritë / depozitat tuaja bankare të përbashkëta nëse planifikoni të ndaheni nga bashkëshorti juaj. Një gjë e tillë mund të bëhet vetëm nëse paraqitet dokumenti ligjor që e legjitimon veprimin (psh. një vendim gjykate, urdhri i përmbaruesit, etj).

Nëse jeni të interesuar të dini më shumë mbi Zgjidhjen e Martesës, ju lutemi referohuni tek Kodi i Familjes.

Pamundësia për të menaxhuar llogaritë bankare

Ju mund të mos jeni në gjendje të menaxhoni llogarinë tuaj bankare nëse për shembull:

  • Ju duhet të shkoni jashtë vendit për një periudhë të konsiderueshme kohore

  • Është fizikisht e pamundur që të kujdeseni për llogaritë tuaja bankare për shkak të një sëmundjeje

  • Ose thjesht nuk keni kohë të mjaftueshme për t’a bërë atë gjë

Ky është rasti kur ju mund t’i jepni akses dhe të drejtën për të vepruar me llogaritë tuaja bankare një personi tjetër. Në mënyrë që të jetë i përshtatshëm për t’u zgjedhur si përfaqësuesi juaj ligjor, ai / ajo duhet të jetë një person i rritur që ka aftësi të plota ligjore për të vepruar dhe për të kuptuar veprimet e tij / saj.

Prokura është mjeti juridik që i jep një personi tjetër autoritetin për të kryer veprime juridike në emrin tuaj. Ai mund të jetë një mik / i afërm / ose përfaqësues ligjor.

Prokura është e përgjithshme kur ju i jepni të drejtë përfaqësuesit të kryejë një sërë veprimesh juridike për qëllime të shumëllojshme që përfshijnë një tërësi të drejtash

Prokura është e posaçme kur ju i jepni përfaqësuesit tagrin për të kryer një ose disa veprime juridike të caktuara, që karakterizohen nga një qëllim i përbashkët.

Për të lexuar më shumë rreth Prokurës, ju lutemi klikoni këtu.

Humbja e një familjari

Humbja e një personi të afërt është mjaft e vështirë për t’u përballuar dhe së bashku me këtë, do t’ju duhet të mendoni për raportimin e vdekjes tek autoritetet përkatëse, organizimin e funeralit, lëshimin e Dëshmisë së trashëgimisë, etj

Përpara se të vini në bankë, ju duhet të kaloni në hapat e mëposhtëm:

  • Deklaroni/njoftoni vdekjen në Zyrën e Gjendjes Civile pranë Bashkisë

  • Pasi të keni marrë Certifikatën e Vdekjes, duhet t’a paraqisni atë pranë Zyrës së Noterisë, së bashku me të gjitha certifikatat e anëtarëve të tjerë të familjes së personit të ndjerë.

  • Është detyrë e noterit që të bëjë të gjitha verifikimet e nevojshme në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin Civil dhe ligjin për “Noterinë”. Pasi të verifikojë vlefshmërinë e dokumentacionit dhe kushteve ligjore përkatëse, noteri lëshon Dëshminë e Trashëgimisë.

  • Çdo anëtar i interesuar i familjes së personit të ndjerë, mund të ketë një kopje të noterizuar të Dëshmise së Trashëgimisë.

  • Dëshmia e Trashëgimisë është dokumenti që duhet t’i vihet në dispozicion Bankës, në mënyrë që ju të mund të tërhiqni pjesën tuaj takuese të pasurisë trashëgimore, nëse rezultoni në rrethin e trashëgimtarëve sipas Dëshmisë së Trashëgimisë.

Ju nuk mund të kërkoni informacion mbi llogaritë e të ndjerit pa u identifikuar në Bankë si trashëgimtar i ligjshëm.

Ju nuk mund të zotëroni fondet e të ndjerit pa u identifikuar në Bankë si trashëgimtar i ligjshëm.

Për të lexuar më shumë rreth Trashëgimisë, ju lutemi klikoni këtu

Shënim: Ky material është përgatitur në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Në rast mospërputhjeje mes dy versioneve, versioni shqip prevalon.