Intervistë me Znj. Zhaneta Pllaha

Intervistë me Znj. Zhaneta Pllaha

Banka otp, pagesa, fatura, IBAN, interviste
Banka otp, pagesa, fatura, IBAN, interviste

“Besojmë se do të sjellim
risi në tregun e bankës
digjitale në Shqipëri.”

ZHANETA PLLAHA

Drejtore Departamenti Karta & E-Banking Divizioni Operacional, Banka OTP Albania

Koha që po kalojmë ka provokuar sjellje të reja si nga Banka edhe nga klientët: Ju çfarë mund të ndani me ndjekësit tanë, nga vëzhgimet tuaja?

Në situatën që po kalojmë, banka jonë i ka dhënë një rëndësi të veçantë orientimit të klientëve drejt transaksioneve e shërbimeve që mund të kryhen pa qenë nevoja të vijnë në bankë, si nëpërmjet platformës digjitale të aksesueshme në PC, Mobile Banking, SMS Banking, apo përdorimit të kartave të debitit e kreditit.

Kjo strategji është mbështetur nga politika dhe procedura që thjeshtojnë komunikimin dhe bashkëveprimin e klientit me bankën. Në këtë kuadër, vëmendje e veçantë i është kushtuar asistencës në distancë ndaj klientëve si edhe zgjerimit të gamës së shërbimeve që mund të ofrohen online. Banka gjithashtu ka reduktuar tarifat dhe ka rritur një pjese të limiteve për transaksionet online.

Në të njëjtën kohë, është vënë re se interesi i klientëve tanë për përdorimin e këtyre shërbimeve është rritur ndjeshëm. Ata kërkojnë të dinë më shumë detaje lidhur me natyrën e produkteve e shërbimeve që mund të marrin pa qenë nevoja të vijnë në bankë si dhe kategoritë e transaksioneve që mund të kryejnë. Një numër i konsiderueshëm klientësh ka kërkuar aktivizimin e këtyre shërbimeve.

 

Kemi vënë re, që gjatë kësaj kohe keni promovuar në masë, shërbimin online banking: Pse është Banka Digjitale zgjedhja më e mirë?

Në kushtet e pandemisë globale, klientët e kanë shumë të limituar kohën në dispozicion për të qenë fizikisht në bankë, ose dhe krejtësisht të pamundur. Është reduktuar edhe numri i klientëve të cilëve mund t’u shërbehet njëkohësisht pranë degëve të bankës, si rezultat i masave të implementuara në mbrojtje të shëndetit të klientëve dhe punonjësve të bankës. Në këto kushte platforma jonë e Bankes Online është një alternativë që ofron jo vetëm kohë të palimituar për marrjen e shërbimeve, por edhe eficiencë më të madhe në realizimin e tyre.

Përveç kësaj, po jetojmë në një situatë kur i gjithë tregu po synon të digjitalizohet përditë e me shumë. Kam këtu në konsideratë të gjitha kompanitë private e publike që ofrojnë shërbime nga me baziket deri te ato më të sofistikuarat. Është e qartë pra, që banka online jo vetëm është alternativa më e mirë, por po shndërrohet nga dita në ditë në një domosdoshmëri.

 

Çfarë risish duhet të presin klientët e Bankës OTP Albania në kuadrin e bankës digjitale, përmirësimeve në këtë lëmë, etj?

Aktualisht Banka OTP Albania ka një platforme online në web dhe mobile që ofron një gamë të gjerë shërbimesh që do t’i detajojme në vijim, por Banka gjithashtu është duke planifikuar një projekt në muajt në vijim, që synon të ngrejë në një nivel edhe më bashkëkohor platfomën tonë digjitale, duke i mundësuar klientëve një komoditet e siguri më të madhe në përdorimin e produketeve e shërbimeve bankare të ofruara nëpërmjet PC, Mobile dhe SMS Banking.

Ne planifikojmë jo vetëm përmirësim të dukshëm të elementeve ekzistues, por besojmë se do të sjellim risi në tregun e bankës digjitale në Shqipëri.

Do të përmendja së pari rritjen e elementeve të sigurisë e cila në kushtet e një digjitalizimi global ka një rëndësi thelbësore, e do të vazhdoja më tej me rritjen e gamës së shërbimeve dhe produkteve që klienti mund t’i përfitojë duke përdorur Bankën Digjitale.

Klientët do të kenë mundësi të komunikojnë online e virtualisht me bankën për të negociuar lidhur me transaksionet që dëshirojnë të kryejnë apo produkte te reja që do të duan të kenë, duke përfituar nga tarifa preferenciale për blerjen e tyre online.

Klientët do të përfitojne gjithashtu oferta të personalizuara për shërbimet dhe produktet bankare në varesi të aktivitetit dhe  nevojave të tyre.

 

Si mund të aplikojnë klientët për online banking?

Aktualisht nëse klienti ka blerë produktin e Bankës Online, nuk ka nevojë të paraqitet në bankë, por mund të riaktivizojë direkt duke kontaktuar Qendrën tonë të Shërbimit të Cilësisë 24/7.

Në rast të kundërt klienti mund të aplikojë duke u paraqitur në një nga degët e bankës. Kjo për arsye sigurie dhe identifikimi të vetë klientit.

 

Çfarë veprimesh mund të kryejnë klientët e bankës tuaj kur flasim për Bankën Digjitale, në Online Banking?

Synimi ynë i vazhdueshëm është t’i përshtatemi plotësisht nevojave të klientëve tanë nëpërmjet një teknologjie digjitale qe ndjek ritmin dinamik bashkëkohor.

Në Online Banking klientët tanë individë apo korporata, mund të informohen në kohë reale dhe të kryejnë një gamë të gjerë transaksionesh nëpërmjet kompjuterit apo celularit personal. E kam fjalen këtu për informacion të plotë që lidhet me situatën financiare të klientit si edhe me detajet e të gjitha produkteve bankare në zotërim, duke filluar nga llogaritë rrjedhese e depozitat, deri te kreditë, overdraftet, kartat e kreditit e debitit, mesazheve SWIFT, etj.

Gama e transaksioneve që mund të kryhen online përfshin të gjitha tipet e transfertave kombëtare e ndërkombëtare, pagesat e faturave për shërbimet publike e private, faturat tatimore, pagesat e doganës, pagesat e kartave të kreditit, hapje depozite me afat, etj.

Ne ofrojmë një ndërfaqe të dedikuar për klientët korporatë me funksionalitete dhe produkte që i përkasin vetëm kësaj kategorie klientësh. Ata mund të administrojnë vetë, nivele të ndryshme të limiteve apo autoriteve që kanë punonjësit e kompanisë në transaksionet online, duke iu përshtatur organizimit hierarkik të saj. Interesante për kompanitë është pagesa në masë e punonjësve të tyre apo furnitoreve të ndryshëm, duke ruajtur konfidencialitetin edhe brenda kompanisë.

Të gjitha këto janë të shoqëruara me një nivel të lartë sigurie që fillojnë nga momenti i identifikimit deri te kodet e personalizuara për konfirmimin e transaksioneve.

 

Keni dëshmuar rritje të përdorimit të bankës digjitale gjatë përiudhës me kufizime në lëvizje? Dhe nëse po, për çfarë raportesh flasim?

Në këtë periudhe ka pasur rritje të aktivitetit online të klientëve ekzistues dhe kërkesa në rritje të klientëve që kërkojnë të përdorin
këtë shërbim për herë të parë. Numri transaksioneve ka shënuar një rritje prej më shumë se 15% krahasuar me periudhat e mëparshme dhe po ashtu edhe numri i klientëve të rinj në Bankën Online.

Ambiciet tona janë sigurisht më të mëdha duke menduar që ky është vetëm fillimi i nje epoke të re.