Intervistë me Z. Dritan Gucaj

Intervistë me Z. Dritan Gucaj

banka OTP, pagesa, fatura, online banking
banka OTP, pagesa, fatura, online banking

“Siguria është
përgjegjësi e të gjithëve.
Ndalo, mendohu, lidhu!”

DRITAN GUCAJ

Drejtor i Departamentit të Sigurisë, Divizioni Operacional

Pandemia rezultoi një surprizë për të gjithë botën, dhe për çdo industri. Sa suprizë ishte për bankën dhe departamentin tuaj? 

Në fushën e sigurisë surprizat janë gjithmonë një element jo i mirëpritur për vetë profilin e punës, aq më tepër kur ke të bësh me një “armik” të padukshëm. Pavarësisht përgatitjeve të shumta dhe testimeve periodike që Banka kryen për vazhdimësinë e biznesit, disa skenarë (sidomos të pandemive) është e vështirë për t’u përgatitur dhe aq më tepër testuar, pasi nuk parashikon dot formën që pandemia shfaqet.

Falë punës së bërë nga të gjithë departamentet e bankës në arritëm që në kohë rekord të pajisnim të gjithë punonjësit me mjetet mbrojtëse për të përballuar këtë situatë. Po shfrytëzoj rastin për të falenderuar të gjithë kolegët e sigurisë fizike të cilët pavarësisht rreziqeve kanë punuar dhe po punojnë me dedikim, korrektesi dhe mirësjellje gjatë kësaj periudhe. Ndihem krenar për ekipin që drejtoj, edhe per faktin e rëndësishem që nuk kemi regjistruar asnjë incident gjatë kësaj kohe të vështirë.

Si u administrua puna nga shtëpia për punonjësit e bankës, dhe si u vlerësua kjo praktikë nga pikëpamja e sigurisë bankare?

Strategjia e sigurisë bankare në kohët e sotme ka ndryshuar në krahasim me atë të një dekade më parë, për arsye të ndryshimeve të teknologjisë, kërkesave të biznesit dhe klientëve. Bankat kanë ikur nga modeli tradicional i sigurisë brenda perimetrit të rrjetit të bankës, tek modeli modern “i hapur, por i sigurtë”, për shkëmbimin e informacionit.

Në këtë pikëpamje ne mundësojmë që një punonjës të punojë nga shtëpia dhe të këtë të njëjtën mbrojtje dhe siguri sikur të ishte në rrjetin e Bankës. Në fushën e sigurisë ka një shprehje “Siguria është si një zinxhir, ku siguria është aq e fortë sa hallka më e dobët e zinxhirit”.

Statistikat tregojnë se 70-90% të sulmeve kibernetike kanë ndodhur duke sulmuar përdoruesin « social engineering » dhe me metoda relativisht të thjeshta sulmi, prandaj në si Bankë një vëmendje të vëçantë i kushtojmë trajnimit të punonjësve në këtë aspekt.

Çfarë i rekomandoni ju klientëve të Bankës OTP Albania, për kohën që po kalojmë dhe për të ardhmen, nga pikëpamja e bankimit të sigurtë? 

Do të dëshiroja ta përmblidhja në 3 fjalë. Ndalo, mendohu, lidhu ! Përpara se të kryejnë një aktivitet online të jenë të përgjegjshëm në veprimet e tyre. Të bëjnë kujdes me faqet ose materialet që shkarkojnë nga interneti. Të përdorim fjalëkalime komplekse. Të jenë të kujdesshëm për profilin e tyre digjital sidomos në mediat sociale. Të ruajnë privatësinë e tyre. Siguria është përgjegjësi e të gjithëve.